Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, ndryshon numri i pasagjerëve për vitin 2012

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, ndryshon numri i pasagjerëve për vitin 2012

• Shifrat e pasagjerëve në TIA pësuan rënie me 8.4 përqind
• Zyrtarët sqarojnë se rënia është rrjedhojë e krizës finaciare

Numri i pasagjerëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA) pësoi një rënie me 8.4 përqind në vitin 2012. Kjo është rënia e parë vjetore në trafikun e pasagjerëve të rregjistruar në aeroport si pasojë e krizës në fushën e fluturimeve apo të bizneseve në eurozonë, thonë zyrtarët e aeroportit. Vitin e kaluar, 1.665.331 pasagjerë fluturuan nga TIA në krahasim me 1.817.073 pasagjerë në vitin 2011.

Ndërkohë, lëvizjet e trafikut ajror (ATM-të) ranë me 10,7 përqind në krahasim me vitin 2011, ndërkohë që dërgesa e mallrave, një tregues i cili monitoron shëndetin e ekonomisë, ra me 14.9 përqind.

“Duhet theksuar se viti 2011 ishte një vit i veçantë, kryesisht për shkak të rritjes në shifrat e pasagjerëve pas liberalizimit të vizave. Ne kemi qenë të vetëdijshëm se një rritje e tillë nuk do të mund të përsëritej në vitin 2012,” tha Znj Andrea Gebbeken, Drejtoresha Ekzekutive e TIA-s. “Krahasuar me vitin 2010 – viti që parapriu vitin e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave – ne kemi parë një rritje prej 8 përqind,” shtoi ajo.

aeroporti nena tereze

Në vitin 2012, linjat ajrore që kanë transportuar më shumë pasagjerë nga dhe për në Tiranë kanë qenë Belle Air (50.1%), Alitalia (9.6%), Air One (9.6%), Austrian Airlines (8.1%) dhe Turkish Airlines (5.5%). Aktualisht, dymbëdhjetë linja ajrore fluturojnë për dhe nga TIA, që lidh kryeqytetin shqiptar direkt me 32 destinacione. Pikat më të frekuentuara si destinacion përfundimtar ose transferimi mbeten Roma, Milano, Vjena, Londra dhe Piza.

“Pavarësisht numrit të pasagjerëve në ndryshim, ne mbetemi pozitivë për arritjet e deritanishme të aeroportit, dhe për arritjet që pritet të vijnë. Ne mbetemi të angazhuar në sigurimin e standardeve më të larta për pasagjerët tanë dhe të një mjedisi të shëndetshëm për të gjithë ata që fluturojnë përmes aeroportit tonë apo për ata që jetojnë këtu pranë” tha zonja Gebbeken

Leave a Reply

Rezervo Bileten