Categorized | Agjencionet Turistike

13 Gabimet që duhen shmangur kur jeni me pushime

Dëshironi të jeni turisti i zgjuar apo ai që prenoton një situatë stresuese në vendin më të shtrenjtë dhe më të bukur?

Çdo njeri që ka marrë valixhet dhe është nisur për diku, i ka bërë të paktën një herë gabimet e mëposhtme.

1. Paketimi i tepërt

Përpiquni të udhëtoni sa më lehtë. Merrni me vete vetëm veshjet që mund t’ju duhen, por mos e ekzagjeroni. Valixhet e tepërta do t’ju shkaktojnë stres dhe do t’ju pengojnë të qetësoheni. Çelësi për të shmangur gabimin e paketimit të tepruar, është të merrni me vete gjërat që mund t’i përdorni njëkohësisht për ngjarje të ndryshme.images

2. Përmbajtja ndaj blerjeve

Një nga format e vërtetuara shkencërisht për relaksim janë blerjet. Nëse jeni me pushime dhe pëlqeni diçka, mos e mendoni dy herë, blijeni. Ky është një nga gabimet më të shpeshta të turistëve. Nuk do të ktheheni përsëri tek ai dyqan për ta marrë më vonë, nuk do ta gjeni askund tjetër dhe as më lirë, ndajeni mendjen: blijeni.

3. Prenotimi “afër qendrës së qytetit”

Nëse po shkoni në një destinacion turistik të panjohur më parë nga ju, kini parasysh që nuk është mirë t’i besoni shumë fjalës afër qendrës së qytetit. Ndodh që me ketë shprehje të reklamohen hotelet, që janë deri në 30 minuta larg me makinë. Shumë turistë zhgënjehen nga këto lloj prenotimesh.

4. Transporti urban

Pushimet supozohet të jenë ditët tuaja më të mira të vitit. Nëse po kërkoni të udhëtoni për në ndonjë vend është mirë të mos kurseni. Pritja e transportit urban mund t’ju kursejë paratë, por jo kohën. Kur jeni me pushime është mirë të merrni taksi për të shkuar më shpejt dhe më lehtë kudo.

5. Fiksimi pas librave udhëzues

Është e vërtetë se librat udhërrëfyes të mbushura me shumë informacione, histori, këshilla dhe gjithçka që duhet të dini për një vend janë të dobishme, por deri diku. Nëse po qëndroni në një vend për pak kohë, është mirë të mos fiksoheni gjithë kohës duke ndjekur udhëzimet e librave të udhëtimit. Mund të ndiqni çdo ditë një ose dy sugjerime dhe pjesën tjetër ta kaloni sipas dëshirës.

6. Të ulësh çmimet

Është e ditur se turistët janë ata që mbipaguajnë vetëm prej faktit se janë në qytet për të shijuar dhe se nuk e kanë shumë idenë e jetës aty. Por kjo nuk do të thotë se duhet të luftoni dhëmbë për dhëmbë me shitësit, që t’ju ulin çmimet. Nëse ju pëlqeni një send, blijeni pa bërë shumë fjalë, fundja jeni me pushime.

7. Mungesa e valutës

Shumë vende operojnë me monedha të ndryshme, por për një turist që kërkon çmime të drejta dhe nuk do probleme, është më mirë të bëjë shkëmbimin e valutës që në aeroport. Nëse do të mbeteni në hall për para vendase, dijeni se shkalla e komisionit që do t’ju mbajnë varion nga vendi ku do të bëhet shkëmbimi. Ka raste që në rrugë, valutat shkëmbehen shumë më shtrenjtë, vetëm prej faktit se është urgjente.

8. Frika nga ushqimi vendas

Ndoshta nuk ju pëlqen të eksperimentoni me shijet tuaja ushqimore dhe i trembeni reagimit që trupi juaj mund të ketë nga ushqimi vendas, por kjo nuk është një gjë e mirë. Zgjidhni vendin që ju duket më korrekt dhe që ka shumë konsumatorë. Blini një ushqim vendas, provoni diçka ndryshe dhe mos e vrisni shumë mendjen për pasojat.

9. Fotografitë e shumta

Dëshira për të dokumentuar çdo sekondë të pushimeve tuaja mund t’ju kushtojë vetë pushimet. Duke u përqendruar shumë tek aspekti fotografik, do të humbisni jetën e vërtetë vendase. Kini gjithashtu parasysh se duke bërë vetëm fotot e nevojshme do ta keni më të lehtë të zgjidhni ato që ju pëlqejnë kur të ktheheni në shtëpi.

10. Kartat e kreditit

Nëse po përpiqeni të gjeni një mënyrë të mençur pagese, kartat e kreditit në pushime nuk janë ajo që duhet të bëni. Zakonisht kompanitë e kartave të kreditit mbajnë një komision të lartë për valutën e huaj që shkon deri në 15 për qind. Ndiqni praktikën e parave në dorë dhe do të jeni në rregull.

11. Sigurimi i pjesshëm

Vend i panjohur, me shumë të panjohura. Nëse mendoni se nuk ju duhet sigurimi i plotë i jetës në udhëtim, do t’ju duhet ta mendoni dhe një herë. Nëse ndodh ajo që nuk prisni të ndodhë, do ta keni shumë të vështirë të përballeni me faturat e spitaleve apo qendrave mjekësore.

12. Mungesa e detajeve të rezervimit

Rezervimet online janë bërë shumë të përhapura kohët e fundit. Nëse keni gjithçka të ruajtur në telefon dhe kompjuter, mos mendoni se duhet të rrini të qetë. Mund të ndodhë që asnjë nga pajisjet tuaja elektronike të mos adaptohet me rrjetin kompjuterik vendas. Për këtë arsye është më mirë t’i printoni detajet e rezervimit dhe ta bëni jetën më të thjeshtë.

13. Vonesat në aeroport

Kur bëhet fjalë për metropole, por jo vetëm, është mirë t’i dilni së keqes përpara dhe të kujdeseni që të arrini në aeroport të paktën dy orë para nisjes. Terminalet janë të shumta, të mëdha dhe është shumë e vështirë të orientohesh në to. Kursejani vetes stresin e vonesës dhe hipjen në momentin e fundit. Jeni me pushime, çfarë ju kushton të jini pak korrekt?

Leave a Reply

Rezervo Bileten